Sistemi është i prishur: Pse nuk duhet të mendojmë nga korniza e “përfitimit” sa i përket barazisë gjinore

Përgjigja ime ndaj pyetjës së UN Women gjatë fushatës 16 Ditë të Aktivizmit: “Duke pasur parasysh rrethanat sfiduese në Kosovë, si do të përfitonte shoqëria nga barazia gjinore?”

Në radhë të parë “përfitojnë” vajzat dhe gratë, të cilat vuajnë dukshëm më shumë nga mungesa e barazisë gjinore. Në një Kosovë me më shumë barazi gjinore, më pak vajza e braktisin shkollën para martesës. Në një Kosovë me më shumë barazi gjinore, më pak gra mbesin kronikisht të papunësuara. Në një Kosovë me më shumë barazi gjinore, nuk i thuhet grave “valla duheni me meritu pozitat, e jo me kuota” – kur i njejti kriter nuk vlen për burrat. Në një Kosovë me më shumë barazi gjinore, policët nuk i kthejnë gratë te abuzuesit e tyre. Në një Kosovë me më shumë barazi gjinore, e tërë shoqëria përgjigjet kur vajza adoleshente përdhunohen dhe kur gratë trajtohen në mënyrë kafsharake në QKUK. Në një Kosovë me më shumë barazi gjinore, Universiteti i Prishtinës nuk boton disa vite rresht një libër i cili përshkruan viktimat e përdhunimit si të “përdalura” dhe “psikopate”. Në një Kosovë me më shumë barazi gjinore, të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës nuk do të ishin akoma të fshehura. Në një Kosovë me më shumë barazi gjinore, nuk ka nevojë për kampanja sensibilizuese që i këshillojnë kosovarët të mos rrahin gratë e tyre.

“Përfitimi” këtu janë të drejtat e garantuara në kushtetutën tonë, nëqoftëse ajo ka ndonjë vlerë. Jam këshilluar të shkruaj për njerëz që janë modele (“role models”) të barazisë gjinore, e sigurisht ka shumë njerëz që luftojnë në mënyrë të vazhdueshme për një Kosovë më të barabartë. Por ky aktivizëm dhe sensibilizim, sado që është i nevojshëm, nuk mjafton, jo kur ka politika dhe ligje anti-diskriminuese që nuk zbatohen. Ndryshimi vjen në Kosovë kur bizneset ndëshkohen nëqoftëse nuk ofrojnë pushim të lehonisë, kur një grua s’ka nevojë të raportojë më shumë se 16 herë abuzuesin e saj, apo kur vajzat dhe djemtë mësojnë në shkollë për lidhje të shëndosha me gjininë tjetër. E vërteta e dhimbshme është që shoqëria kosovare ka tolerancë koxha të lartë për diskriminim të të gjitha llojeve – shembulli i romëve është një tregues i mirë i këtij problemi, dhe të gjitha fushatat, hulumtimet dhe shkrimet nuk mjaftojnë pa zbatimin e politikave konkrete anti-diskriminues. Historia ka dëshmuar që ndryshime shoqërore kanë ardhur jo vetëm nga ndryshimi gradual i mendësive të vjetra, por nga implementimi i politikave të guximshme, përkundër rezistencës së shumicës.

Ndonjë zyrtar/e mundet të më kundërshtojë me strategji dhe akte nënligjore që përshkruajnë një sistem tërësisht ideal i ndëshkimit të dhunës dhe diskriminit në baza gjinore. E vërteta është që personat që kanë për obligim të zbatojnë politika të tilla nuk i zbatojnë ato, dhe nuk ndëshkohen nga eprorët e tyre për mos-kryerjen e detyrës së tyre. Pikërisht nga këta njerëz mund të fillojë ndryshimi brenda sistemit, por pa ndonjë presion apo shtyerje nga hallkat e tij, barazia gjinore do të jetë një proces tejet i ngadalshëm.

E di që këtu nuk kam dhënë përgjigje për pyetjen e parashtuar më lartë, dhe arsyeja është kjo: nuk ka nevojë të flitet për “përfitimin” e shoqërisë nga barazia gjinore, e as të analizohet nga ky këndvështrim. “Përfitimi” i një shoqëri mizogjene sigurisht është puna e papaguar e grave në shtëpi si dhe trajtimi i relaksuar i rasteve të dhunës në baza gjinore, por kjo nuk e bënë mizogjininë gjë e deshirueshme. Barazia është e drejtë njerëzore, dhe vlera e saj nuk ka nevojë të matet.

Ky shkrim është botuar fillimisht në Sbunker.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s