Virgjiniteti dhe Pacipësia

Ka një kohë që jam ftuar të shkruaj diçka për Zejnepe Bytyqin, një grua e cila është vrarë nga burri i saj në Suharekë muajin që shkoi. Nuk kam çka shtoj më shumë, për shkak se çka kam për të thënë është thënë dhe stërthënë: të gjitha statistikat dhe hulumtimet e mundshme në Kosovë përshkruajnë një vend, ku gratë janë dukshëm më pak të punësuara, më të varfëra, dhe në masë të madhe, përjetojnë më shumë dhunë sesa burrat e këtij vendi. Shumë kosovarë jetojnë me një dhunë aq të normalizuar, saqë shpeshherë edhe gratë e arsyetojnë dhunën ndaj tyre (po referoj shifrën famëkeqe nga anketa MICS e Agjencionit të Statistikave të Kosovës dhe UNICEF-it, ku 42 përqind të grave arsyetojnë dhunën ndaj tyre në disa rrethana). Këto të dhëna janë tregues i qartë i një sistemi vlerash i cili është dehumanizues dhe mizor për gratë në veçanti, të cilat përjetojnë dëmet kryesore të këtij sistemi. Fatkeqësisht, edhe pse me vite të tëra aktivistë nëpër Kosovë flasin për realitetin alarmant që paraqesin këto të dhëna, ato shpeshherë nuk rezultojnë në ndryshim të politikave, dhe as nuk raportohen në tërësinë e tyre nga mediat.
Në të njëjtën anketë, gati të gjitha vajzat dhe gratë të anketuara mes moshës 15-24 kanë thënë se nuk kishin pasur asnjëherë marrëdhënie seksuale. KALLXO.com botoi një artikull specifikisht mbi këto të dhëna, të cilat përbëjnë dy faqe të anketës në tërësi. Intervistuan Besim Gollopenin, një sociolog me publikime të shumta në fushen e planifikimit hapësinor. Në botëkuptimin ballkanik, natyrisht nuk bëhën dallime midis nënfushave të sociologjisë. Nuk ka asnjë sociolog të ftuar apo hulumtues, i cili është marrë me shëndetin seksual (sikur Visare Mujko Nimani, përfaqësuesja e UNFPA-s në Kosovë e cila me vite të tëra hulumton shëndetin seksual dhe riprodhues të kosovarëve), me të qenit vajzë adoleshente apo grua në Kosovë (Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës ka bërë takime dhe hulumtime të vazhdueshme me vajza dhe gra të reja të Kosovës, dhe është goxha i hapur ndaj medias), apo marrëdheniet romantike midis adoleshentëve (Rrjeti PEN punon me të rinj kosovarë anëmbanë Kosovës me çështje sikur shëndeti seksual dhe lidhje të shëndosha romantike). Por jo, eksperti ynë mbi jetën seksuale të vajzave dhe grave në Kosovë është një person i cili nuk ka botuar fare në këtë fushë, apo fusha të përafërta (mund të përmendim, për hir të korrektësisë, një studim demografik mbi shpërbërjen e martesës tradicionale në Kosovë, dhe një tjetër mbi arsyet e shkurorëzimit në Kosovë. I dyti nuk është i qasshëm online, ndërsa i pari është tërësisht kuantitativ, pa bashkëbisedim me subjektet e studimit). Nejse.

Sikur të kishin ftuar edhe ndonjë ekspert mbi temën në fjalë për mendimin e tyre, ose të kishin bërë mundin më të vogël të intervistonin vajza dhe gra mes moshës 15-24, KALLXO.com do të mësonte se në Kosovë, virgjiniteti nuk është vetëm një cipë në vagjinë. Virgjiniteti nënkupton fytyrën, një koncept shumë i rëndësishëm në një shoqëri të mbyllur si e jona. Nënkupton mundësinë për t’u martuar (nëqoftëse je statistikisht e prirur të jesh e papunë dhe ekonomikisht jo e pavarur, martesa ka rëndesi jetike, a po?). Zbulimi i “kurvërisë” së një vajzeje apo gruaje në shoqërinë shqiptare është katastrofale.

Në këto rrethana është totalisht e kuptueshme që një vajzë apo grua, sidomos nëqoftëse është e pamartuar, thotë se nuk ka përvojë seksuale. Por, ky kontekst është tërësisht i humbur në raportimin e KALLXO.com, ku eksperti i intervistuar pohon, pa bazë, se rinia kosovare është e emancipuar dhe se ka liri seksuale në Kosovë. Edhe kur ka ndonjë shpjegim më të matur mbi natyrën vetëcensuruese të anketave të tilla, nëntitujt, fatkeqësisht, tallen me një realitet tepër të zymtë (fotografia e përzgjedhur është: një palë buzë me flamurin e Kosovës vizatuar përsipër, nëntitujt e përzgjedhura janë pohime sikur “Të Gjitha Të Virgjëra” dhe “Bio – Pa prezervativ”). Me të njëjtin ton flitet për gjetjet mbi përdorimin e prezervativëve në Kosovë dhe përgjigjet e të anketuarëve mbi lumturinë e tyre (“të virgjër apo jo, me një partner apo me disa, me prezervativ apo me ‘seks natyral’ (të pambrojtur), mbi 90 për qind e tyre janë të kënaqur me jetën…”). Cektësia vazhdon.

Anketa e njëjtë, (në fakt, në të njëjtin kapitull prej nga janë marrë të dhënat mbi jetën seksuale të të rinjëve) thotë se 64% të grave të të gjitha grupmoshave (deri në moshën 49) konfirmojnë se kanë pasur marrëdhënie seksuale në 12 muajit e fundit, krahasuar me 70% të burrave. A thua, vallë, mos na qenka më lehtë për një grua më e vjetër, mbase e martuar, të thotë publikisht se ka pasur marrëdhënie seksuale, dhe pse na qenka kështu? Cilat janë arsyet pse një vajzë adoleshente apo një grua e re në Kosovë, mbase jo e martuar, nuk e thotë të vërtetën në një anketë të tillë? Ky kontekst, fatkeqësisht, përsëri është i humbur.

Pse është kjo me rëndësi? Në radhë të parë, në një anketë 300 faqëshe mbi shëndetin e përgjithshëm të kosovarëve, ky fokus mbi jetën seksuale të vajzave dhe grave është thjesht morbid. Ky instinkt për të vlerësuar pastërtinë seksuale të vajzave dhe grave është i rrënjosur thellë në kulturën shqiptare, dhe fatkeqësisht, subteksti i artikujve të tillë është “kurvat gënjeshtare”. Në ribotimin e Gazetës Express, se paku kjo shprehet troç: “Deri në cilën moshë janë vajzat e Kosovës të virgjëra, tregojnë shifrat e ASK-së”. Ky vlerësim i vazhdueshëm i “pastërtisë” së vajzave dhe grave në Kosovë është pikërisht arsyeja pse ato nuk përgjigjen sinqertë në anketa të tilla. Mungesa e gazetarisë së bazuar në shifra, e cila interpreton të dhënat në kontekstin e tyre shoqëror dhe i humanizon ato, bënë që këto të dhëna të injorohen apo të interpretohen në bazë të paragjykimeve ekzistuese të ekipit redaktorial (madje ndjehen të fyer me reagimet negative që pasojnë). Tema e presionit shoqëror ushtruar mbi vajzat dhe gratë në Kosovë kërkon dhembshuri dhe empati njerëzore, e jo tallje. Dhe në fakt, aq keq të kuptuar janë vajzat dhe gratë në Kosovë saqë një mbulim shkel-e-shko sikur ky vetëm dëmton më shumë kauzën e barazisë gjinore.

Shëndeti seksual i të rinjëve tanë nuk është hajgare. Mungesa e lidhjeve të shëndosha seksuale midis grave dhe burrave krijojnë kushte për abuzim dhe dhunë. Një kuptim i shëndoshë dhe i hapur i seksualitetit, në radhë të parë kërkon pranimin e një të vërtetë absolute në Kosovë: kjo shoqëri është patriarkale, dhe shoqëritë patriarkale bazohen në dhunë, kryesisht ndaj vajzave dhe grave. Shoqëritë patriarkale kontrollojnë dhe vëzhgojnë sjelljet e grave dhe vajzave, dhe i ndëshkojnë ato ashpër për gabimet e tyre. Kjo dhunë është e normalizuar. Për momentin, tek shumë, kjo e vërtetë ngjall tallje në Kosovë, përkundër çfarëdo statistike apo shifre.

Ky shkrim është botuar fillimisht në Sbunker.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s