Virgjëreshat e Betuara të Paraqitura si Kurrë Më Parë

Një intërvistë me shkrimtaren inspiruese Elvira Dones, e publikuar në Gazetën Jeta në Kosovë në gjuhën shqipe, dhe në gjuhën angleze në gazetën Prishtina Insight.

Hana Doda është virgjëreshë e betuar e veçantë, me një tregim që rrallë dëgjohet në shoqërinë shqiptare – një grua e cila bëhet burrneshë, ndërron mendjen dhe bëhet grua përsëri. Pas katërmbëdhjetë vjetësh duke jetuar si Mark, ajo ftohet në Amerikë nga kushërira e saj Lila. Kur Hana emigron, ajo duhet të adaptohet jo vetëm me një kulturë dhe një shtet të ri, ajo duhet të “rimësojë” se si të sillet dhe të vishet si grua.

Tregimi i saj rrëfehet me shumë ndjeshmëri dhe kuptueshmëri nga shkrimtarja shqiptare Elvira Dones në “Sworn Virgin” (Virgjëresha e Betuar), përkthimin në gjuhën angleze të romanit “Hana,” të publikuar disa vite më parë. 

Biografia e Dones-it është gati aq dramatike sa e protagonistes së saj. E rritur dhe e arsimuar në Shqipërinë komuniste, Dones iku në Zvicër ne 1988, duke e sjellë djalin e saj me vete disa vjet më vonë. Gjatë qëndrimit të saj në Zvicër ka botuar libra dhe prodhuar dokumentarë mbi tema të larmishme sikur lufta e Kosovës, trafikimi i shqiptarëve në Itali, gjakmarrja kanunore, jeta e virgjëreshave të betuara në Shqipërinë Veriore dhe një rrëfim gjysmë-autobiografik mbi vendimin e saj për të lënë Shqipërinë.

Dones jeton në San Francisko, ku Gazeta Jeta në Kosovë e kontaktoi për të biseduar mbi popullaritetin e romanit “Sworn Virgin” (Virgjëreshë e Betuar). Libri është lavdëruar nga mediat ndërkombëtare sikur the Guardian – “Nuk mund të lëshoja librin nga dora”, ka shkruajtur recensionistja Kapka Kassabova.

“Sworn Virgin” (Virgjëresha e Betuar) tregon anën e errët të traditës shqiptare të virgjëreshave të betuara- vajza apo gruaja bëhet virgjëreshë e betuar për të udhëhequr familjen në rast të mungesës së trashëgimtarëve meshkuj. Në momentin që ato bëhen burra, gëzojnë një lloj respekti nga komuniteti i tyre, i cili zakonisht nuk u ofrohet grave në zonat më rurale dhe tradicionale shqiptare.

Kur Hana bëhet Mark, ajo e lë mbrapa Tiranën, universitetin, librat, simpatitë dhe ëndrrat e saj, për një jetë të mbushur me punë të rëndë, të vetmuar në malet e fshatit të saj. Por ky është çmimi që duhet paguar për refuzimin e saj për t’u martuar me burrin e zgjedhur nga axha i saj, i cili është në prag të vdekjes kur Hana e merr vendimin për t’u bërë burrë.

Tregimi nënvizon anën absurde të traditës së virgjëreshave të betuara: një person i veshur me fustan nuk konsiderohet si një qenie autonome, e aftë për të vendosur për fatin e vet. Por nëse personi i njëjtë vishet në pantallona, mund të gëzojë respektin e tërë fshatit. Gjatë një turneu të intervistave në Shqipëri, moderatorja Ilva Tara pyeti Donesin mbi zgjedhjen e saj për të paraqitur zakonet shqiptare në një dritë aq ndëshkuese. Në këtë intervistë, Dones u përgjigj, “Unë nuk mendoj që shkrimtari është një përzgjatje e zyrës kombëtare të turizmit. Shkrimtari është ai që tregon ato plagë te shoqërisë që ka vendosur të tregojë.”

Ajo nuk ndjen keqardhje për zgjedhjet e saj kreative në këtë aspekt, kur bisedojmë herët një mëngjes nëpërmjet Skype-it.

“Përse nuk u bëhet kjo pyetje meshkujve shkrimtarë, edhe shqiptarë, edhe te huaj që si ndjeheni ju me ndjeshmërinë tuaj ndaj personazhit femëror?” pyet Dones. “Unë e konsideroj këtë pyetje shumë shoviniste. Në këtë shekull ku jemi ne akoma vazhdojmë të bëjmë pyetje, përse ky libër nga pikëvështrimi i një gruaje, ose përse (kjo më është hedhur gjithmonë në mënyrë direkte apo indirekte nga mediat shqiptare), merresh me këto gjëra “të çuditshme?”

Në shumë mënyra, “Sworn Virgin” (Virgjëresha e Betuar) komenton mbi mënyrën se si ndërlidhen gjinia, seksi dhe identiteti. Në ShBA, Hana fillon t’i “rimësojë” shenjat sociale qe simbolizojnë të qenët grua- fundet (njërin prej të cilëve ajo i gjuan nga frustrimi), buzëkuqin (i aplikuar me ankth para takimit të saj të parë romantik në ShBA), rregullimin e flokëve dhe flirtimin në mënyrë “femërore”.

Sfidat e saj reflektojnë deri diku përvojat e një ish-virgjëreshe të betuar e takuar nga Donesi pas përfundimit të romanit. “E vetmja ‘Hanë’ që ishte penduar ishte një zbulim i madh,” kujton Dones. Disa vite pas një interviste të furnizuar mirë me raki, Donesi kishte dëgjuar se kjo “Hana” kishte emigruar në Amerikë dhe kishte vendosur të vishte dhe të njihej si grua përsëri.

“Ajo donte t’i rriste flokët, të mos ishte shënjestra e fshatit dhe të ishte dado për nipin dhe mbesën e motrës së martuar. Feminiteti i kësaj gruaje nuk ka absolutisht asgjë të bëjë me seksin. Vetëm donte atë dinjitetin e saj, “meqë isha femër dhe vajzë, nuk jam lesbike, unë dua sot të jetoj me dinjitetin tim në një qytet të madh ku askush nuk vëren se si jam veshur,” shpjegon Dones.

Pyetje të ndërlikuara të identitetit dhe gjinisë janë prezente këtu, por burimi i tregimit janë intervistat dhe përvojat direkte të Donesit me virgjëresha të përbetuara. E pyetur mbi psenë e librit, Donesi jep një shpjegim shumë të thjeshtë- janë tregime që ia vlen të tregohen, pikë.

“Kur më bëhet kjo pyetje, përse gruaja, përgjigjja është sepse gruaja është gjysma e kësaj shoqërie. Sepse ai kanun të cilin ne ose e glorifikojmë ose e hedhim poshtë në mënyrën më  kanibaleske, më vrasëse, më gjakderdhëse, ka pasur disa rregulla në mes të të cilave na jep të kuptojmë që gruaja ka qenë një hiç në atë familje.  Kështu që kur lindi tek unë, nuk ka lindur si asnjëlloj programi kjo lloj dëshirë. Unë isha gjashtëmbëdhjetë vjeç e gjysmë, kur në një album fotografish të komshinjve të mi që vinin nga veriu i Shqipërisë, me treguan këtë fotografi të një dasme të madhe që ishte bërë në Kosovë. Në mes të kësaj fotografie, në mes të klanit, ishte ky burrë i gjatë, shume i pashëm, me kostum popullor natyrisht. I thashë xhaxhit Naim, “ky është baca i familjes?” Edhe ai buzëqeshi dhe më tha mua, “Jo vajzë, ky nuk është baca i familjes, kjo është një virgjëreshë e betuar.”

Hana kalon vitet e saj si Mark në malet e Shqipërisë Veriore, një peizazh i ashpër dhe i bukur, të cilin Dones e përshkruan gati si i pavjetruar, i pandryshueshëm nga kalimi i kohës. Ky respekt për veriun është një vazhdimësi e pikëpamjeve të saja mbi personin e veriut, apo malësorin, pikëpamje të cilat aludojnë në karikaturën e burrit (apo në këtë rast gruas) tipik malor: stoik, zakonor dhe të ndershëm. Shihet se personazhi i Hanës është i ndërtuar mbi një kombinim të grave të qeta dhe të forta të veriut të cilat Donesi i kishte takuar si studente, si dhe disa elemente potencialisht autobiografike, sikur dashuria e Hanës ndaj shkrimit, leximit dhe poezisë.

“Kur studentet shqiptare nga veriu, nga qytete sikur Kukësi, Dragobia, Puka, dhe Lezha, vinin dhe studionin në Fakultetin e Histori-Filologjisë, unë i shikoja ato vajza dhe gra që të kishin një tjetër mënyrë të sjelljes, në kuptimin që ishin më pak të zhurmshme se ne, ishin më pak moderne se, e masnin fjalën që thoshin. Kështu që në njëfarë mënyrë që unë të ngrija Hanën në kokën time pak nga pak, ishte thjesht rebelizmi im, sepse mendoja në atë moshë si është e mundur që t’i të marrësh një vendim të tillë [të bëhesh virgjëreshë e betuar], kur ti nuk di asgjë për jetën tënde, për karakterin që ti do të zhvillosh më vonë. Prandaj për mua pikëvështrimi im i atij libri ka qenë vetmia e këtyre grave”, thotë Dones.

“Sworn Virgin” (Virgjëresha e Betuar) lë të kuptohet se emancipimi i Hanës mund të gjendet në lirinë e saj për të zgjedhur – zgjedhja për t’u bërë burrë dhe zgjedhja për t’u bërë grua përsëri. Por mbetet pyetja, në një botë të sunduar nga rregullat e ngurta të Kanunit, sa është vendimi për t’u bërë virgjëreshë e betuar rezultat i një përzgjedhjeje të lirë? Dones pohon se vendimi për t’u bërë virgjëreshë e betuar në këtë kontekst është zgjedhje – dhe deri diku, është zgjedhje revolucionare.

“Nga pikëvështrimi perëndimor duket si diçka skllavëruese, ndërsa duhet parë gjithmonë në kontekstin historik dhe kulturor të kësaj tradite. Nuk kishin të drejtë, por ishin të detyruara të bindnin baballarët që i kishin dhënë kur ato ishin në bark të nënës, nganjëherë u jepeshin burrave që ishin në të pesëdhjetat. Ato ishin të detyruara të lanin këmbët e secilit burrë në shtëpi dhe ushqeheshin me mbetjet e ushqimit qe ata nuk i hanin…Në këtë mënyrë, ato kanë qenë një lloj revolucioni. Në mënyrën e tyre, me arsyet e tyre, kanë vendosur të dalin nga ajo rrugë, duke i thënë babait që dua të jetoj si mashkull. Ishte e vetmja rrugë”, shpjegon Dones.

Përkundër faktit se situata e Hanës mund t’u duket e çuditshme lexuesve të huaj, durimi, imagjinata, dhe humori i mirë i zërit të Hanës, e cila rrëfen tregimin e romanit, ka marrë shumë lëvdata. Nëpërmjet betejave të saja për të jetuar si grua, për t’u bërë feminine, për t’u mësuar me familjen e kushërirës, me jetën në ShBA dhe mbase për të gjetur dashurinë, një traditë e çuditshme dhe jo e njohur mirë jashtë botës shqiptare humanizohet dhe bëhet pak më e përafërt.

Kur pyetet për mendimet e saja se pse Hana është aq e pëlqyer nga lexuesit dhe recensionistët, Donesi përgjigjet, “sepse ajo pjesë ekzotike e Shqipërisë, i hyn përbrenda. Vetmia e një gruaje të kësaj natyre, ndoshta kjo jep një perspektivë tjetër nga një përditshmëri të Evropës apo Amerikës Veriore. Ndoshta gaboj unë, por unë mendoj që u hap një dritare ndaj gjërave që nuk dinin se çka ishin deri atëherë, dhe kjo i bën ata që të interesohen për librin.”

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s